Serbët të ndarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës

Serbët të ndarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës
Partitë politike kanë nisur fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës; Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Për herë të parë në këtë fushatë eksponentë të opozitës serbe në Beograd kanë bërë thirrje për mbështetjen e kandidatëve shqiptarë.
Marko Jakshiq, organizatori i protestave kundër presidentit serb, Aleksandar Vucic ka thënë se ai mund ta përdorë votën e tij në zgjedhjet e veriut, dhe të votojë për kandidaten e PDK-së, Gonxhe Çaushi.
“Brenda pak ditësh në qytetin tim do të ketë zgjedhje. Unë nuk jam kandidat dhe nuk është askush nga veriu. Duke e ditur se ekipi serb do ta vjedh votën time nëse unë abstenojë, unë definitivisht do të votojë për kandidaten grua nga PDK-ja”, ka theksuar Jakshiq.
Në anën tjetër, partia Lista Serbe, në fillim të fushatës është zotuar se në Kosovë do të implementojë projektet e presidentit serb, Aleksandar Vucic.
Petar Petkovic, ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe kandidati i listës serbe për Komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic kanë deklaruar se zgjedhjet për kryetarë komunash në veri të Kosovës, janë një referendum për dhe kundër mbijetesës së popullit serb në atë pjesë.
“Fitorja e Listës serbe do të thotë përgjigje ndaj përshkallëzimit të të gjitha presioneve, agresionit dhe histerisë që vjen nga Kosova. Interesat e popullit serb në Kosovë janë të garantuara për të ruajtur lidhjen e popullit serb në Kosovë dhe Serbi”,  deklaroi Petar Petkovic.
Ai theksoi se fitorja e Listës Serbe është e padiskutueshme dhe se të gjitha projektet e iniciuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë do të vazhdojnë të implementohen.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga kandidatët për kryetarë të komunave veriore të Kosovës kanë bashkëbiseduar me qindra qytetarë shqiptarë për rëndësinë e daljes masovike të shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës.
“Ka shumë rëndësi dalja e gjithë shqiptarëve në zgjedhje në komunat e veriut. Duhet të dalin unik të gjithë në zgjedhje. Është mesazh dalja masovike e shqiptarëve në këto zgjedhje sepse tregon se shqiptarët janë aty dhe do të jenë gjithmone në pronat e tyre. Ne do të vazhdojmë projektet konkrete për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga pronat e veta”, tha Veseli.
Kjo fushatë do të zgjasë deri më 17 Maj. Komisioni Qëndror Zgjedhor ka angazhuar 670 komisionerë që do të angazhohen në 44 qendra të votimit në gjithsej 87 vendvotimepër zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri që do të mbahen më 19 Maj./Ibna/