SDSM shkarkoi tërë kryesinë partiake, Zaev paralajmëroi ndryshime edhe në Qeveri

SDSM shkarkoi tërë kryesinë partiake, Zaev paralajmëroi ndryshime edhe në Qeveri

SDSM (Lidhja Social Demokrate) mbrëmë shkarkoi kryesinë tërë kryesinë partiake, si pjesë e spastrimeve të paralajmëruara nga lideri i saj Zoran Zaev, i cili bëri të ditur se shkarkimet masive do të nisin edhe në Qeveri, duke përfshirë ministra dhe funksionarë të tjerë shtetëror.

“Premtuam ndryshime dhe këto po ndodhin. SDSM demonstroi përgjegjësi serioze para qytetarëve. Është shkarkuar tërë kryesia, nënkryetarët, sekretari gjeneral ndërsa do të ketë edhe ndryshime në Qeveri”, theksoi Zaev.

Sekretari i ri i SDSM është zgjedhur Lupço Nikolovski, i cili vjen në vend të sekretarit të deritanishëm Aleksandar Kiracoski. Nikollovski do të braktisë edhe postin e ministrit të bujqësisë. Javën e kaluar me një vendim partiak janë shkarkuar edhe 78 kryetarët e degëve të kësaj partie.

Kryeministri dhe lideri i SDSM, Zoran Zaev theksoi se tani do të nis faza e spastrimeve në Qeveri, të atyre funksionarëve që nuk kanë treguar suksese dhe ndryshime. Ai këtë premtim e bëri pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, për shkak të rezultatit të ngushtë në garën zgjedhore përballë partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE.

Zaev paralajmëroi mbrëmë se në rikonstruimin e ri qeveritar që do të ndodhë në fillim të muajit qershor do të përfshihet një e treta e kabinetit të tij qeveritar, përfshirë edhe ministra nga partnerët e koalicionit.

VMRO-DPMNE tha se veprimet e socialdemokratëve në pushtet janë vetëm një farsë dhe se ndryshimet apo “fshesa” e Qeverisë do të ndodhë vetëm kur nga pushteti do të ikë Zoran Zaev.

“Kjo do të ndodhë në zgjedhje, fshesën e kanë qytetarët”, theksoi VMRO-DPMNE duke thënë se Qeveria aktuale është totalisht e paaftë për të udhëhequr vendin./IBNA