Samiti i Berlinit – Ballkani Perëndimor akoma shihet si një rajon krize

Samiti i Berlinit – Ballkani Perëndimor akoma shihet si një rajon krize
Nga Muhamer Pajaziti 
Samiti i Berlinit dëshmoi se vendevet më të fuqishme të BE-së akoma e shohin Ballkanin Perëndimor si një rajon krize.
Rreth dy dekada pas firmosjes së Paktit të Stabilitetit, Bashkimi Evropian nuk ka shënuar ndonjë progres të duhur në këtë rajon.
Akoma flitet për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës të përcaktuara në vitin 1993, reformat politike, ekonomike dhe aquis comunitare.
Në Berlin kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, janë se do të jenë më sy hapur me zhvillimet në Ballkan, por nuk dhanë ndonjë shpresë për integrimin e këtij rajoni në një të ardhme të afërtë.
Udhëheqësit e dy vendeve kryesore të Bashkimit Europian premtuan se do të angazhohen fuqishëm për stabilitetin e këtij rajon.
Presidenti Macron tha se së bashku me shtetet tjera të BE-së do të punojë për stabilitetin e tij.
“Parisi do të ndihmonte në reformat kyçe ekonomike, sociale, të sigurisë dhe të sundimit të ligjit, përpara se të flitet për zgjerim të BE-së.Për momentin, lajmi nuk është politika e zgjerimit të BE-së por një politikë stabiliteti rajonal”, u shpreh ai.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel pohoi se ky takim është inicuar sepse janë të interesuar për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Por unë dua ta bëj shumë të qartë se sot nuk është çështja e bisedimeve të anëtarësimit. Për këtë, ka një procedurë që drejtohet nga Komisioni,” tha Kancelarja Merkel.
Të dy liderët kanë pohuar se në Ballkan nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve sipas vijave etnike.
Befasues në takim ishte qëndrimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaci. Ai tha se pa SHBA-të nuk do të ketë zgjidhje të ngatërresës mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas tij, Bashkimi Evropian është i dobët dhe jo i unifikuar.
“Ishte konstatim se është humbur kohë, tash është një process që mund të vazhdojë në të ardhmen, Serbia duhet ta njoh Kosovën pa kushte, edhe dialogu duhet të vazhdojë pa kushte”, është shprehur Thaçi.
Presidenti, Hashim Thaçi në një konferencë për media pas takimit të Berlinit, ka thënë se takimi tjetër do të ndodhë në Paris më 1 korrik me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thëne se nuk është i kënaqur me “status quon”.
“Do dëshiroja që të fillonim dialogun sepse ai është garanca e vetme për stabilitet”, ka theksuar presidenti serb.
Konkluzioni i këtij takimi është se liderët e Ballkanit duhet të angazhohen për reforma dhe stabilitet. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë bisedimet për pajtim dhe normalizim.
Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë marrë ndonjë sinjal të qartë për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Nga Samiti gjithashtu doli një përfundim se Bashkimi Evropian akoma nuk ka një pasqyrë të qartë për procesin e eurointegrues të rajonit.
Kërkohen reforma rrënjësore por edhe respektimi i parimit të fqinjësisë së mirë. Takimi i radhës  me ftesë të presidentit Makron pritet të jetë më 1 korrik.  /Ibna/