Rikonstruimi i Qeverisë, sot pritet votimi i ministrave të rinj, opozita kërkon zgjedhje të reja

Rikonstruimi i Qeverisë, sot pritet votimi i ministrave të rinj, opozita kërkon zgjedhje të reja

 Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po vazhdon debati për rikonstruimin e Qeverisë. Deputetët sot pritet të votojnë ministrat e rinj në gjashtë dikastere ministrore. Kryeministri Zoran Zaev tha se Qeveria në periudhën e ardhshme do të fokusohet në çështje ekonomike, për rritjen e standardit jetësor të qytetarëve. Zaev tha se do të rris rrogat, por edhe pensionet. “Investimet e huaja shënojnë rritje, rroga mesatare është rritur, ka rritje të trendeve ekonomike në disa sektorë. Ka ende punë”, theksoi Zaev.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Vlatko Gjorçev tha se Qeveria aktuale ka dështuar dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 “Zoran Zaev, ju jeni në muajt e fundit të qeverisjes sepse pas disa mujave do të kemi qeveri teknike ku do të merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja. Pra, për disa muaj vijnë ndryshimet në Maqedoni. Ju dhe 28 ministrat tuaj do të largoheni përmes votave të qytetarëve”, theksoi Gjorçev. 

Nga rikonstruimi qeveritar një parti minore shqiptare RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare) braktisi koalicionin, pasi që iu mor Ministria e Pushtetit Vendor.  Në fund të 2020 skadon mandati i qeverisjes së koalicionit të  Lidhja Social demokrate (SDSM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)./IBNA