Kreu shtetëror në Shkup pas pranimit të Raportit të progresit nga BE

Kreu shtetëror në Shkup pas pranimit të Raportit të progresit nga BE

Pas pranimit të Raportit të progresit nga ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar,  krerët shtetërorë në Shkup janë shprehur optimist se vendi do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski  tha se Raporti pasqyron situatën reale në vend dhe se pret që Këshilli ti valorizojë përpjekjet e vendit dhe në qershor të japë datë për fillim të negociatave për anëtarësim të vendit në BE. Pendarovski theksoi se çdo shtyrje e datës do të jetë demotivim për shoqërinë.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi duke falënderuar qytetarët e vendit për durimin dhe mbështetjen, tha se vendi ka përmbushur  pritshmëritë dhe se pret që në qershor të fillojnë negociatat për anëtarësim të vendit në BE.

Kryeministri Zoran Zaev tha se rekomandimi pozitiv i dhjeti me radhë për vendin, paraqet raportin më pozitiv që prej kur vendi është kandidat për anëtarësim në BE.

“Sot jemi krenarë edhe për një sukses tjetër të vendit tonë. Kemi kompletuar ekipin për negociata dhe jemi të përgatitur për fillimin e negociatave. Është radha e evropës që të vendosë për fillimin e negociatave”-tha Zaev.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit me rekomandimin për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Se a do të ketë datë për negociatat do të varet nga samiti i këshillit të ministrave muajin e ardhshëm në Bruksel. Raporti i KE-së është pa kushte dhe ndër më të mirit që ka marrë Maqedonia deri më tani./IBNA