
Maqedonia e Veriut mbetet në vendin e 95-të sipas indeksit të fundit botëror për lirinë e mediave të Reporterë pa kufij (RSF), njejtë sikur vitin e kaluar.
Vërejtja kryesore e Reporterë pa kufij këtë vit është gjendja në servisin publik Radiotelevizionin Nacional, ku Qeveria ende nuk ka zbatuar reforma.
“Edhe pse institucioni është stabilizuar në vitin 2018, Qeveria e re ende nuk e ka ndryshuar Ligjin për radiodifuzer publik, në kundërshtim me atë që e ka paralajmëruar në vitin 2017”, thekson organizata, duke shtuar se kjo media vazhdon t’i shërbejë interesat e ish partisë konservatore qeveritare, VMRO-DPMNE.
Edhe pse nuk janë regjistruar sulme ndaj gazetarëve gjatë vitit të kaluar në Maqedoni dhe siguria e gazetarëve shënon përparim të madh, Reporterë pa kufij paralajmërojnë se kultura e mosndëshkimit vazhdon të qeveris në vend. Vetëm dy prej 59 sulmeve të regjistruara ndaj gazetarëve viteve të fundit janë lëndë e hetimeve dhe kanë marrë përfundim.
Në pjesën e rregulloreve ligjore, organizata për mbrojtje të gazetarëve shënon se nevojiten ndryshime në pjesën për shpifje dhe qasje te institucionet shtetërore./IBNA