Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, opozita kërcënon me bojkot

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, opozita kërcënon me bojkot

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet debati për regjistrimin e popullsisë. Ky operacion që do të realizohet në prill të 2020 ka një kosto prej 8,5 milionë euro.

Por për të rrumbullakësuar tërë procesin duhet që në Kuvend të miratohet ligji për cenzusin, që është hartuar nga ministria e drejtësisë. Nga sot fillon debate në nivel të komisioneve parlamentare.

Partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE-ja kërcënon me bojkotimin e regjistrimit të popullsisë. “Pushteti po tenton që në mënyrë klandestine dhe pa konsultime ta kalojë ligjin për regjistrim. Përshpejtimi i këtillë lë hapësirë për dyshime për përmbajtjen dhe qëllimet e vërteta të Zoran Zaevit”, theksoi Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Enti Shtetëror i Statistikave theksoi se nuk do të ketë hapësirë për keqpërdorime dhe se do të jetë një proces i realizuar në përputhje me ligjin.

Ky do të jetë cenzusi i nëntë në Maqedoninë e Veriut që nga ekzistimi i saj si republikë nga ish-federata jugosllave. Regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2002, ndërsa në vitin 2011 dështoi pesë ditë para mbylljes së procesit për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me regjistrimin e popullatës që jetojnë përkohësisht në diasporë./IBNA