Reformat në sferën e sigurisë, “target” është shërbimi sekret

Reformat në sferën e sigurisë,  “target” është shërbimi sekret

Maqedonia e Veriut po synon që të realizojë reforma të thella në sistemine  sigurisë. Cak i këtyre reformave është shërbimi sekret. Kuvendi dje i dha dritë jeshile pakos së ligjeve për reforma në sferën e sigurisë. Me ligjet e reja, Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit (UBK) do të shkojë në histori, ndërsa do të formohet Agjencia për Siguri Kombëtare, e cila po ashtu nuk do të jetë në kuadër të Ministrisë së Brendshme.  Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka zhvilluar planet dhe bisedimet për pakon e reformave dhe se sipas tij me këtë do ti jepet fund koncentrimit dhe keqpërdorimit të fuqisë së policisë sekrete.

Sipas tij, institucionet e sigurisë do të jenë shërbime efikase, të depolitizuara dhe departizuara në shërbim të sigurisë së shtetit.  Ai tha se këto reforma ligjore janë miratuar pas një debati gjithpërfshirës, duke marrë përkrahjen edhe të votave të opozitës.

Megjithatë edhe deputetë të maxhorancës janë të pakënaqur për përjashtimin e propozimeve të tyre, që kishin të bënin me reformën e thellë në shërbimet sekrete.  Deputetët socialdemokratë Frosina Remenski dhe Muhamet Zekiri insistuan që të largohen të punësuarit në shërbimet sekrete që janë rrezik për sigurinë. Zekiri thotë se ka një numër të madh të kriminelëve në Shërbimin Sekret UBK që janë punësuar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE , të cilëve tani do ti sigurohet punë në administratë, në rast s e nuk kalojnë filtrin për tu punësuar në Agjencinë e re të Sigurisë Kombëtare.  Opozita tha se është e kënaqur me përkrahjen e propozimeve të tyre. Deputeti i VMRO-DPMNE, Emil Dimitriev tha se janë pranuar 60 amendamente të tyre që kanë të  bëjnë me reformën në sferën e sigurisë. Këto reforma janë pjesë e kërkesave nga Bashkimi Evropian dhe se ato do të vlerësohen në raportin e progresit që do të publikohet gjatë javës së ardhshme. /IBNA