Reeker – Zaev: Marrëveshja e Prespës si shembull për Ballkanin

Reeker – Zaev: Marrëveshja e Prespës si shembull për Ballkanin

Philip Reeker i cili së shpejti do të marrë detyrën e ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe euroazi pas takimit pasdite me kryeministrin e vendit Zoran Zaev tha se ndihet krenarë me arritjet e Maqedonisë së Veriut, në veçanti me punën për arritjen e marrëveshjesh me Greqinë. Ai konfirmoi edhe një herë mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO duke theksuar rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës dhe të reformave në vend. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të merret si shembull për Ballkanin.

Ndërsa, kryeministri Zaev falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për ndihmën e deritanishme, dhe siguroi për vazhdimin e reformave në vend me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit në BE në qershor të këtij viti.

Reeker i cili aktualisht është zëvendës civil dhe këshilltar politik i komandantit të komandës evropiane të forcave ushtarake të SHBA-ve, në Shkup takoi edhe ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe disa nga liderët politik. /IBNA