Reeker: Serbia dhe Kosova të kthehen në tryezën e bisedimeve

Reeker: Serbia dhe Kosova të kthehen në tryezën e bisedimeve
Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, thotë se vazhdimi i dialogut është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje përfundimtare.
“Serbia dhe Kosova duhet të kthehen në tryezën e negociatave. Kam kaluar shumë kohë në atë tryezë me ta. Mendoj se vullneti i mirë egziston tek të dyja palët, për të ardhur deri tek zgjidhja dhe të arrihet më shumë qëndrueshmëri dhe ardhmëri për tërë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut.
Diplomati amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, por palët nuk duhet të presin nga të tjerët që të vendosin për ta.
“Shtetet e Bashkuar janë të gatshme të angazhohen. Në fakt unë po bisedoja me sekretarin Pompeo rreth kësaj, në mëngjes. Dëshirojmë të shohim lëvizje atje, por puna është se ne nuk mund ta bëjmë atë për ju. Kosova dhe Serbia duhet të vendosin së bashku të kthehen në tryezën e dialogut”, është shprehur ai.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të marrim mësim nga marrëveshja e arritur nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.(Ibna)