Reagime pas raportit të Progresit, në pritje data për fillimin e negociatave

Reagime pas raportit të Progresit, në pritje data për fillimin e negociatave

Derisa pushteti ka pritur me entuziazëm raportin e progresit të BE-së, partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE sot ka dal me një reagim të ashpër.

 “Qeveria e LSDM-së sërish gënjeu. Datë për negociata me BE-në edhe gjatë këtij viti nuk do të ketë. LSDM-ja tani, edhe pas ndërrimit të emrit të shtetit nuk do të filloj bisedimet për shkak se nuk ka reforma”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Sipas opozitës, në BE nuk shkohet me administratë të partizuar, sistem shëndetësor e arsimor të shkatërruar si dhe probleme tjera. Nga opozita kanë nënvizuar se derisa Zaev do të jetë kryeministër nuk ka datë për fillimin e negociatave.

Analistët politik thonë se BE nuk duhet të zvarris procesin.

“Absolutisht do të jetë jokorrekte nëse procesi do të mbahet pezull. BE do të jetë jokredibile nëse nuk qëndron pas premtimeve të saj. Pasojat do të jenë të shumta me efekte rajonale dhe më të gjëra.  Nëse do të ketë edhe një prolongim të shkurtër, do të ketë çmim politik dhe do të reflektohet në zhvillimet e brendshme politike”, theksoi Malinka Ristevska – Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane.

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit me rekomandimin për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Se a do të ketë datë për negociatat do të varet nga samiti i këshillit të ministrave muajin e ardhshëm në Bruksel. Raporti i KE-së është pa kushte dhe ndër më të mirit që ka marrë Maqedonia deri më tani./IBNA