Raporti i KE-së për Kosovën

Raporti i KE-së për Kosovën
Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit për Kosovën.
Në këtë  dokument theksohet se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.
Megjithatë kërkohen të shtohen përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e drejtë të gjykatave.
“Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme. Janë arritur disa përparime pas miratimit të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Ligjit për Ndërmjetësim dhe avancimi i sistemit elektronik i menaxhimit të rasteve. Gjyqësori ende është i prekshëm ndaj ndikimeve politike”, thuhet në raport.
Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese.
Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë,  theksohet se Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog.
“Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjore me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksohet në raport.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga Kosova që të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe të heqë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Këto komente Hahn, i bëri gjatë publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian.
Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.
/Ibna/