Rama: Zgjedhjet nuk ndalen dhe as shtyhen, pavarësisht kërcënimeve

Rama: Zgjedhjet nuk ndalen dhe as  shtyhen, pavarësisht kërcënimeve

“Ne nuk kemi rrugë tjetër, përveçse të vazhdojmë rrugën tonë drejt zgjedhjeve të 30 qershorit. Pavarësisht kërcënimeve, apo rreziqeve të një procesi kur disa po përbetohen se do e dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur kryetarët e bashkive”.

Me një deklaratë të tillë, kryeministri Edi Rama, ka ripërsëritur dje nga foltorja e Kuvendit qëndrimin e vendosur të mazhorancës për të realizuar brenda afatit ligjor zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Sipas tij, aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë mbrapsht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim.

Konkretisht, duke iu referuar përfundimit të afatit të regjistrimit të partive në KQZ, Rama tha se opozita me mosrespektimin e tij vendosi që të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, pasi doli nga jeta parlamentare.

Dhe gjithmonë në kuadrin e zgjedhjeve, ai përmendi edhe faktin sesa vite burg rrezikon kush i pengon ato.

“Dëmtimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve për të votuar apo jo dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kurse kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-5 vite burg.”, ishin detajet që dha Rama rreth kësaj çështje.

Ndër të tjera ai foli edhe për gazin lotsjellës që është përdorur në protestat e opozitës. Sipas tij, ai është protokoll në të gjitha vendet. Më tej, ai ka shtuar se për kreun e qeverisë, opozita ka dalë në rrugë dhe se nuk futet dot në zgjedhje, pasi “po hynë në zgjedhje, dalin ashtu siç hynë”.

Reagon PD: Zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë

Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama dje në seancë plenare se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të shtyhen ka reaguar Partia Demokratike. Ajo iu përmbajt qëndrimit të shprehur vazhdimisht prej saj se nuk do të lejojë që të ketë zgjedhje në 30 qershor. Sipas PD-së, nuk mund të ketë zgjedhje të lira me një kryeministër të kapur nga krimi dhe korrupsioni. “E dinë fare mirë se zgjedhje më 30 qershor nuk ka për të patur. Një qeveri ilegjitime, me një kryeministër ilegjitim, e shndërroi Shqipërinë në një narkoshtet, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme”, thuhet në deklaratën e saj.