Rama ngre strukturë të re policore

Rama ngre strukturë të re policore

Qeveria krijon “Illyrian Guard”, kompani sigurie me shërbime për shtetin dhe privatët. Plani i Ramës, të nxjerrë sa të mundet jashtë loje, kompanitë private të sigurisë dhe ruajtjes së objekteve. Akuza të forta ndaj tyre për abuzim me punonjësit, cilësinë e shërbimit dhe thithje fondesh të mëdha nga shteti. Si do të funksionojë struktura e re, kujt do t’i ofrojë shërbime dhe çfarë ndodh kur ajo është e paaftë për ta kryer detyrën

 

Qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi dje të krijojë një strukturë të re policore, e cila do të jetë nën kontrollin e ministrisë së Brendshme dhe do të ofrojë shërbime jo vetëm për institucionet shtetërore por edhe për subjektet private.

Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në vendim thuhet se ai u mor me propozimin e ministrit të Brendshëm.

Shoqëria “Illyrian Guard”, do të jetë një shoqëri tregtare e llojit sh.a (shoqëri aksionere), me kapital njëqind për qind shtetëror dhe si qëllim të saj do të ketë ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

Në vendim thuhet se kjo shoqëri ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Por jo vetëm kaq, sepse struktura e re policore do të ketë për detyrë të japë edhe shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj.
Mister mbetet si do të jenë tarifat e kësaj kompanie e cila do të kontrollohet direkt nga ministri i Brendshëm që aktualisht është Sandër Lleshaj.

Në vendim thuhet se “të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”.

Por çfarë ndodh nëse kjo kompani dështon të garantojë shërbimin e sigurisë. Për këtë ka menduar sërish qeveria: “Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi”.

Sa për asetet, edhe për këtë ka menduar qeveria e cila bujarisht i ka siguruar shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., asete nga inventari i saj i pronave publike, duke i ofruar mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë. Këto asete do të jenë të ministrisë së Brendshme.

Duket se struktura e re është një goditje direkte ndaj kompanive private që ofrojnë shërbime në fushën e rendit dhe sigurisë. Këtë e pohon dhe kryeministri Rama i cili ka paralajmëruar se struktura e re do të godasë policitë private që janë të shumta në numër. Kjo strukturë e re, është shprehur z.Rama “do të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle policish private, të cilat shpesh herë janë shëmbëlltyra të keqtrajtimit të njeriut në aspektin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore”.

Rama ka akuzuar kompanitë e policive private se ato, “shpeshherë janë thithëse të mëdha të fondeve publike për arsye të nevojave të shumë institucioneve për të pasur mbrojtje”.

Sipas tij, ato shpesh nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit përmes një ndërmarrjeje të tillë.

Deri tani nuk ka ndonjë reagim nga policitë private. Një vëzhgim i bërë në disa prej tyre, evidentoi faktin se shumë punonjës, kryesisht ish efektivë policie dhe të tjerë, pa përvojë në këtë fushë, punojnë me sistemin tre turne duke marrë paga që variojnë nga 20 mijë lekë e deri në dyfishin e kësaj shume, kurse në disa raste edhe më shumë.

Pjesë e forcave të policive private janë edhe efektivë policie aktualisht në detyrë shtetërore, por që punojnë në turne të tjera që të mund të rrisin të ardhurat e tyre end modeste.

Ajo që vërehet shpesh në shërbimet që ofrojnë policitë private është kultura e shërbimit që lë shumë për të dëshiruar, ruajtja formale e objekteve dhe paaftësia e një pjese të punonjësve të tyre në menaxhim të situatave që lidhen me rendin dhe sigurinë.