Rama: Marrëveshja e Prespës, çliron një ngërç të madh në rajon

Rama: Marrëveshja e Prespës, çliron një ngërç të madh në rajon

“Marrëveshja e Prespës ka qenë një hap absolutisht i rëndësishëm historik.

“Është dashur një periudhë e stërgjatë kohe bllokimi, konflikti, pengesash, por edhe një lidership kurajoz për të realizuar një marrëveshje që çliron përfundimisht një ngërç të madh në rajonin dhe u hap perspektivë të gjithë popujve të përfshirë në këtë proces, qoftë maqedonasve, qoftë shqiptarëve”.

Kështu e ka komentuar këtë marrëveshje kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë një interviste.

Ndërkohë sipas tij, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të angazhuara dhe mbështetëse të Kosovës qysh në ditën një, dhe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova nuk do të ishte çliruar dot nga kthetrat e Beogradit dhe nuk do të ishte dot shteti i pavarur që është sot”.

“Kështu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë qysh në ditën një mbështetëse të palëkundura të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe qysh në ditën një Shqipëria ka qenë qartësisht e shprehur për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, e majta dhe e djathta”, tha Rama.

Teksa nuk ka lënë pa vlerësuar as edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, për të cilën është shprehur se “është një shembull fantastik lidershipi dhe një pishtarmbajtëse e vendosur e idesë sonë”.