Rama: Holanda, vendim politik për vizat ndaj shqiptarëve, opozita po na fyen duke festuar

Rama: Holanda, vendim politik për vizat ndaj shqiptarëve, opozita po na fyen duke festuar

Kryeministri hodhi dyshime se vendimi i parlamentit holandez mund të jetë kontribut edhe i PD

Kryeministri Edi Rama ka vendosur në fokusin e fjalimit të tij në parlament rezolutën e parlamentit holandez ku kërkohet fillimi i procedurës së frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë.

Sipas tij ai është “një vendim thjesht dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda ku nuk është sekret, ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve”.

“Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës, në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit”, – tha z.Rama.
Për kryeministrin socialist vendimi i parlamentit holandez solli “një festë absurde që u zhvillua në oborrin e opozitës në Tiranë si rezultat i atij vendimi”.

Rama tha se kjo ishte “një festë fyese dhe pa e ekzagjeruar aspak përbuzëse për njerëz zakonshëm të këtij vendi në kushte kur ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe nëpër ato digjitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve”.

Për kreun socialist, PD u përpoq “të transformojë në një politikë të dëshpëruar që do të katandiset keq e më keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen t’i vënë zjarrin perspektivës së vendit”.

Ai shtoi: “Kjo është e pafalshme. Është vendim kundër dinjitetit të çdo shqiptari”, – tha ndër të tjera z. Rama.

Kryeministri hodhi dyshime se vendimi i parlamentit holandez mund të jetë kontribut edhe i PD.