Qytetarët ende nuk i besojnë gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut

Qytetarët ende nuk i besojnë gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut

Aslan.M, një qytetar rom thotë se padrejtësisht është dënuar nga gjykata, për shkak të mospagesës së një gjobe për mospagesën e faturave të energjisë elektrike. “Ne jemi raste sociale dhe nuk mund që gjykata të jap vendime që cënojnë lirinë e të drejtave tona”, thotë Aslani.

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit tregon se në Maqedoninë e Veriut  qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim tek pushteti gjyqësor.

Sips tij, krahasuar me vitin 2017, në 2018-tën është dyfishuar mosbesimi.

“Zvarritja e procedurave gjyqësore dhe vendimet gjyqësore janë pakënaqësitë që shprehin qytetarët. Sipas tyre, shumica e vendimeve janë sjellë në mënyrë të njëanshme, selektive, nën presion dhe të motivuara politikisht”, theksoi Vaska Bajramovska-Mustafa, zëvendëse e Avokatit të Popullit, e cila thotë se në 900 raste është konstatuar cënim i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Sipas raportit, gjendje e  pandryshuar mbizotëron edhe nëpër burgje, në aspekt të mbrojtjes shëndetësore, ushqimit, kushteve higjienike dhe sanitare. Vërejtje të tilla në fillim të këtij muaji u bënë edhe nga raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku janë shprehur vërejtje për gjyqësorin, gjendjen e rëndë në burgje dhe administratën e stërngarkuar. Ekspertët për cështje të drejtësisë thonë se reformat në gjyqësor  duhet të jenë prioritet i maxhorancës dhe se nuk duhet bërë pazare politike. Por pikërisht një pjesë e ligjeve në sferën e drejtësisë, përfshirë mandatin e ri të Prokurorisë Speciale tashmë janë pjesë e debatit dhe tryezës së partive politike.  Qeveria thotë se është e fokusuar në planin e reformave dhe se miratimi I tyre hap rrugën e integrimit në BE. Këshilli për punë të përgjithshme i BE-së solli konkluza që Maqedonisë së Veriut në qershor të këtij viti ti jepet data për fillimin e negociatave për anëtarësim. /IBNA