Qeveria: Kosovarët nuk po migrojnë

Qeveria: Kosovarët nuk po migrojnë
Kreu shtetëror i Kosovës ka dalë me deklarata kundërthënëse sa i përket ikjes së të rinjve drejtë vendeve  të Bashkimi Evropian.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ditë më parë theksoi se ikja e trurit përbën rrezik për Kosovën. Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj sot tha se, raportimi i mediave dhe zyrtarëve tjerë shtetëror  për migrimin e të rinjve është i pasaktë.
“Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Haradinaj
Sipas tij, statistikat reale tregojnë se Kosova nuk përbën rrezik të migrimit, e që, sipas tij, në vitin 2018 ishin vetëm 3 mijë e 515 kërkesa për migrim, krahasuar me vitin 2015 kur 67 mijë e 545 persona kanë migruar.
Tutje ai tha se në vitin 2018 vullnetarisht në Kosovë janë kthyer 727 qytetarë.
Që nga viti 2011 e deri në vitin 2017, mbi 180 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Avni Kastrati drejtor i statistikave sociale në këtë institucion, thotë se arsyet e largimit të tyre janë të ndryshme, duke filluar nga bashkimi familjar, punësimi apo edhe studimet.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri më tani vendi ku më së shumti kanë emigruar njerëzit nga Kosova ishte Gjermania, por matjet e reja ende të papërpunuara tërësisht mund ta nxjerrin Francën në vend të parë./Ibna/