Pse Partia Socialiste kërkon të mos jenë më kryebashkiakë ata që i kanë bërë tre mandate?

Pse Partia Socialiste kërkon  të mos jenë më kryebashkiakë  ata që i kanë bërë tre mandate?

Kryetarët që i kanë drejtuar tre herë një bashki, nuk duhet ta drejtojnë sërish. Kjo kërkesë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Socialiste, por ai e rrëzoi atë. Por çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj kërkese?

Nuk duhet harruar se dy figura të njohura që kanë tre mandate në krye të një bashkie, i përkasin pikërisht Partisë Socialiste. Ata janë Qazim Sejdini i Elbasanit dhe Vangjush Dako i Durrësit. Që të dy, të përfshirë në debate të forta politike, me kosto për socialistët. Kjo pasi ndaj tyre janë ngritur akuza mjaft të rënda, deri në përfshirje në trafikun e drogës, apo dhe përfshirje në aktivitete kriminale. Madje të dy janë akuzuar edhe se kanë bashkëpunuar me bandat,duke i përdorur ato për të blerë vota. Ndërsa j kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tha para dy ditësh se “gjatë këtyre ditëve pritet arrestimi i Vangjush Dakos”.

E gjendur në një situatë të tillë, a mos vallë Partia Socialiste kërkon që ta heqë këtë figurë nga skena politike, për të mos patur më kosto prej tij? Apo ndoshta ka frikë se mos ata dalin si kandidatë të pavarur në zgjedhjet vendore të qershorit, dhe e braktisin Partinë Socialiste. Sepse ata Por mund t’i fitojnë ato, falë investimit personal në tre mandate rresht në krye të bashkive të tyre. Duke i hequr nga duart Partisë Socialiste, dy pika kyçe, Elbasanin dhe Durrësin.

Por të mos harrojmë se me tre mandate janë edhe dy kryetarët demokratë të bashkive më fitimprurëse në vend, Vorës dhe Kamzës. Dhe mesa duket, PS-ja duke mos lejuar më kandidimin e Fiqiri Ismailit dhe Xhelal Mziut, kërkon t’ia marrë PD-së këto dy bashki të rëndësishme pranë kryeqytetit.

Një skenar ky mesa duket i thurur mjaft mirë, që arrin deri edhe në zonat minoritare të vendit, siç është Bashkia e Pustecit. Kryetari i saj, Edmond Themelko është një tjetër kryebashkiak, i cili mund të kandidojë aty për herën e katërt.

Njësoj siç mund të thuhet edhe për kryetarin “tradicional” të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Edhe ai, një socialist i rënduar ndër vite me mjaft akuza kundër tij, deri në atë të “trafikimit të tetë femrave”.

Të gjithë këta, emra përmes largimit të të cilëve, Partia Socialiste ndoshta po synon të realizojë një pastrim  të fytyrës së saj në pushtetin vendor.