Protestat, opozita bllokoi dje rrugët kombëtare në pesë qarqe

Protestat, opozita bllokoi dje  rrugët kombëtare në pesë qarqe

Djegie gomash dhe thirrje në grup kundër kryeministrit, duke kërkuar largimin e tij. Këto e kanë shoqëruar protestën e djeshme 1-orëshe të opozitës, e cila këtë herë ishte konceptuar me bllokimin e disa akseve kryesore të vendit. Një strategji kjo e re e opozitës, ndryshe nga ajo që është aplikuar deri tani prej saj me protesta para parlamentit kur në të zhvillohen seanca plenare…

***

Akset e bllokuara

Gjatë protestës së djeshme të opozitës u bllokuan konkretisht rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan,  autostrada Plepa-Kavajë në Durrës, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë; Karburanti në autostradën e Milotit, rrethrrotullimi i Sheqit në Fier dhe ai i Shqiponjës në Tiranë. Në përgjithësi, tubimet e mbështetësve të opozitës u zhvilluan pa probleme, përveçse disa momenteve ku ata dogjën goma dhe pas një ore, sipas planifikimit që ishte bërë rreth protestës, ata u shpërndanë qetësisht.

Basha: Jo zgjedhje më 30 qershor

Nga Miloti, kryedmokrati Lulzim Basha teksa i falënderoi qytetarët për praninë e tyre në protestë, teksa tha se më shumë se kurrë, tani është koha për të larguar Edi Ramën. Sipas tij, kreu i qeverisë është arkitekti i skamjes së shqiptarëve, pasi duke lënë të varfër qytetarët e ka më të lehtë për të kapur gjithçka. “Rama e ka mendjen nga mëngjesi në darkë si të grabisë pasuritë e vendit”, tha ai. Më tej, kryedemokrati kërkoi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi në të kundërt sipas tij nuk do të ketë integrim në Europë. “Jemi të vendosur se kështu nuk mund të vazhdohet më dhe kështu nuk do të vazhdohet. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh moral dhe numerik, për të çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni”, deklaroi gjithashtu ai.

Në fund, Basha shprehu bindjen e tij se në 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën, pasi kjo e fundit nuk mund të klonohet.

Kryemadhi: Rama nuk e ka parë akoma revoltën qytetare

Gjatë protestës së djeshme të opozitës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se kjo lëvizje ishte është për t’u dhënë mundësi qytetarëve, të cilët nuk kanë mundësi të protestojnë në Tiranë, që të shprehin edhe ata reagimin e tyre. “Edi Rama është në kohë për të zgjidhur krizën. Është paralajmërim për të. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar ndërkombëtarët. Edi Rama nuk e ka kuptuar ende”, u shpreh Kryemadhi.