PROTESTAT, KOSTO E PAPËRBALLUESHME PËR BUXHETIN E SHTETIT

PROTESTAT, KOSTO E PAPËRBALLUESHME PËR BUXHETIN E SHTETIT

Protestat maratonë që është duke zhvilluar opozita dhe vazhdimi i tyre, janë në fokusin e përditshëm të politikës, medias dhe opinionit publik. Por ajo që nuk po del në dritë është se po shpenzohen shumë parà për mbajtjen e tyre nën kontroll.

Qeveria dhe institucionet e tjera në varësi të saj janë detyruar të aplikojnë masa nga më të ndryshmet duke krijuar kosto të reja për buxhetin e shtetit dhe për taksapaguesit, pasi në tubimet demonstrative të opozitës, angazhimi është shumë i lartë.

Janë blerë dhe vënë në funksionim sisteme të reja sigurie, kamera dhe regjistrues, armë të posaçme për qitje gazi lotsjellës, një arsenal i tërë pajimesh policore.

Po ashtu kalimi në gatishmëri nr 2 dhe nr 1 gjatë ditëve të protestave ka rritur shpenzimet për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe struktura të tjera të sigurisë të përfshira në aksionin kundër tubimeve të opozitës.

Të gjitha këto, bëjnë që nga buxheti i shtetit të shpenzohen para të cilat janë planifikuar për zëra të tjerë ekonomiko-socialë.

Nga ana tjetër, në disa raste gjatë këtyre protestave ka pasur përdorim dhune nga ana e pjesëmarrësve duke dëmtuar pjesë të institucioneve te kryeministria, Parlamenti, zonat përreth tyre si dhe në disa tubime jashtë Tiranës.

Të gjitha këto përkthehen në kosto të cilat tek e fundit janë shpenzime që dalin nga buxheti i shtetit, janë zëra të shtuar dhe përballohen si gjithnjë nga paratë e taksapaguesve.

Zyrtarisht nuk ka një vlerësim dëmesh dhe një kosto të menaxhimit të sigurisë për protestat.

Megjithatë zërat brenda mazhorancës e pranojnë se ka një shtim shqetësues të këtyre shpenzimeve.

Edhe Fadil Nasufi, deputet aktual i Partisë Socialiste dhe më herët kryetar i bashkisë Berat, por edhe prefekt i atij qarku, në intervistën që gjeni sot në “Albanian Free Press”, pohon faktin se janë krijuar kosto të reja.

Nasufi pohon se “Qeveria nuk është komode në këto kushte” dhe shton: “Strukturat përgjegjëse shtetërore gjatë protestave kanë angazhime të cilat shpenzojnë jo pak energji, njerëz, mjete, buxhete, etj., për të garantuar veprimtarinë e institucioneve dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”.

Nasufi po ashtu evidenton dhe koston tjetër të këtyre zhvillimeve, atë për imazhin e vendit: “Kostot e këtyre protestave i sjellin dëm Shqipërisë, për imazhin e saj, duke e përkeqësuar atë”.

Në fakt, e gjithë kjo që po ndodh dhe nuk dihet deri kur do të vazhdojë, po sjell ndikim edhe më të gjerë. Këtë e pohon dhe z.Nasufi: “Janë veprime që sjellin pasiguri, destabilitet dhe klimë jo të shëndetshme për biznesin, turizmin, investimet, zhvillimin social dhe ekonomik, etj..”.

Tani që protestat janë skeduluar sa herë që ka seanca plenare, pra të paktën një herë në javë, kaosi politik duket se po sheh vetëm agravim. Ndaj një ndërhyrje efektive për të qetësuar ujërat është sa e nevojshme aq dhe e pashmangshme.

Se çfarë do të bëjnë palët, na mbetet të presim…