Prokuroria Speciale në sprovë

Prokuroria Speciale në sprovë

Dyshimet për përfshirje të kryeprokurores speciale, Katica Janeva në një skandal korruptiv, po lëkundin themelet e Prokurorisë Speciale. Janeva është pjesë e hetimit pas arrestimit të pronarit të një televizioni në Shkup dhe një biznesmeni, të cilët përmes shantazhit kishin përfituar 1,5 milionë euro nga një biznesmenë i njohur, që po akuzohej nga Prokuroria Speciale.

Por, Lence Ristovska, kolege e Janevës bashkë me prokurorët e tjerë thotë se ky rast nuk guxon të dëmtojë punën e kësaj prokurorie.

“Integriteti i Prokurorisë Speciale nuk është rrezikuar, veprimet e individëve nuk përfaqësojnë të gjithë punonjësit e prokurorisë. Kjo nuk guxon që të vë në pikëpyetje lëndët e procesuara deri më tani”, theksoi Ristovska. Ajo theksoi se çdo vendim dhe dokument i Prokurorisë Speciale në fund është nënshkruar nga Katica Janeva, ashtu siç e parasheh ligji.

Ekspertë për çështje të drejtësisë vënë në sprovë funksionimin e mëtejshëm të këtij institucioni të themeluar në vitin 2015 si pjesë e marrëveshjes politike për zbardhjen e skandalit dhe bisedave të përgjuara nga pushteti i kaluar.

“Qëllimi i themelimit të Speciales nuk u përmbush: për tri vite, vetëm një i burgosur nga 90 të akuzuar për 18 raste mega-korruptive. Specialja pësoi disfatë përballë gjykatave të rregullta . Pa përkrahje politike, e bojkotuar nga gjyqësori dhe së fundi me bastisje policore të kreut të saj tregon se kemi të bëjmë me një epilog të padëshiruar të saj”, thotë profesori universitar Blerim Reka.

Hetimi për reket, të cilin e hapi Prokuroria për Krim të Organizuar deri tani i dyshon Bojan Jovanovskin, i cili paraqitet si pronar joformal i televizionit 1TV dhe Zoran Milevskin. Përveç celularit të Katica Janevës, prokuroria ka sekuestruar kompjuterë, usb si dhe veshje luksoze. Sipas mediave, kallëzimin për shantazh dhe zhvatje e ka paraqitur biznesmeni Orce Kamçev i dyshuar në rastin “Perandoria” për pastrim parash.