Presidenti Thaci kërkon që Lugina e Preshevës ti bashkohet Kosovën

Presidenti Thaci kërkon që Lugina e Preshevës ti bashkohet Kosovën
Dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë ka shtatë muaj që nga ngecur. Por idetë për territore nuk kanë të sosur.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci përmes një projekt rezolute dërguar Parlamentit ka kërkuar që Lugina e Preshevës (një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë) ti bashkangjitet Kosovës.
“Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 për t’iu bashkangjitur Kosovës”, deklaroi presidenti kosovar.
Ai kërkoi nga të gjitha partitë politike shqiptare ta mbështesin projektë rezolutën e tij.
Por, idetë si kjo dhe ato që u hodhën që në verën e kaluar për prekjen e kufijve si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nxitën kundërshtime të shumta, si të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe partive opozitare që thonë se çështja e kufijve të Kosovës është mbyllur përfundimisht vitin kur ajo shpalli pavarësinë e saj.
Lideri i  Vetëvendosjes, Albin Kurti të hënën në një seancë parlamentare tha se idetë e presidentit nuk e kanë ndihmuar aspak pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Diskriminimi, nënpërfaqësimi dhe shtypja e shqiptarëve atje është i pashembullt. Ndërsa premtimi që ata do të na bashkohen neve me konferenca shtypi që organizon presidenti vetëm sa i ka demobilizuar dhe pasivizuar ata”, tha zoti Kurti.
Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike tha se gjendja e rëndë e shqiptarëve atje është politikë e Serbisë, me synim që të nxisë largimin e tyre prej andej.
“Është vërtetë fatkeqësi që sot në vitin 2019 në Evropë, në këtë pjesë të Ballkanit, të Serbisë, të një shteti që synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, shqiptarët e Luginës së Preshevës jetojnë në gjendje pa perspektivë totale, të diskriminimit etnik, kulturor dhe social. Ata edhe sot luftojnë për të drejtat e tyre elementare, për tekste shkollore, për mundësitë e nostrifikimit të diplomave, për përdorimin e simboleve kombëtare”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj dhe partitë opozitare kërkojnë që Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e përhershme e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu kërkohet që edhe që qeveria e Kosovës në dialog të ngulë këmbë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të drejtat e njëjta me qytetarët serbë në Kosovë./Ibna/