Presidenti Thaçi fillon këshillimet me partitë për zhvillimet politike në Kosovë

Presidenti Thaçi fillon këshillimet me partitë për zhvillimet politike në Kosovë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi të martën këshillimet me partitë politike për hapat e mëtjeshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Presidenti Thaçi ka takuar përfaqësuesit e dy partive të komuniteteve jo shumicë, ndërsa ditëve në vijim do të realizoj takime me subjekte tjera politike.
“Tani shtrohet nevoja për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, deklaroi presidenti.
Presidenti i Kosovës tashmë i ka dy mundësi për mënyrën se si të vazhdohet më tutje; njëra që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, apo caktimit të një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës.
Por, partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja.
Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ftoi për të martën pasdite një takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar politike.
Në takim morën pjesë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Alencës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por jo edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas këtij takimi liderët e tre partive kërkuan që vendi të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare. /Ibna/