Presidenti i Kosovës nis konsultimet me partitë politike për zgjidhjen e krizës politike

Presidenti i Kosovës nis konsultimet me partitë politike për zgjidhjen e krizës politike
Presidenti Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj ka njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës.
Ai ka thënë se, mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë.
“Për më tepër, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik pas ftesës për intervistë që i erdhi nga Gjykata Speciale.
Pas dorëheqjes, të gjitha partitë politike kanë kërkuar që në konsultime me presidentin të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Që nga viti 2010, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përveç efekteve politike, shkuarja e shpeshtë në zgjedhje, sipas organizatave joqeveritare, po i kushton edhe buxhetit të Kosovës me harxhimin e paplanifikuar të miliona eurove. /Ibna/