Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do dëshmojë për çështjen e dëbimit të shtetasve turq

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do dëshmojë për çështjen e dëbimit të shtetasve turq
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të dëshmojë të premten para një komisioni parlamentar që po heton operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq më shumë se një vit më parë.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Komision parlamentar për hetimin e operacionit, që u themelua në korrik të vitit të kaluar, ka gjetur 31 shkelje ligjore gjatë operacionit. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Këto gjetje, nxitën edhe reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila tërhoqi vërejtjen se “trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike”./Ibna/