Policia nuk jep leje, opozita: Protesta do të bëhet

Policia nuk jep leje, opozita: Protesta do të bëhet

Pas Policisë së Shtetit që foli për dhunë të mundshme në protestë, ndërhyn dhe ajo e Tiranës, nuk jep leje për disa zona që kërkoi PD. Reagimi: Ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje. Qeveria përpiqet të frenojë pjesëmarrjen, Spiropali lëshon thirrje direkte: Mos shkoni në protestë, opozita kërkon që ditën e shtunë të djegë Shqipërinë”. PD: Kemi marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve

Qeveria dhe strukturat e saj, po përpiqen që të minimizojnë sa më shumë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën që ka thirrur opozita për nesër 16 shkurt.

Hapi i parë ishte deklarata e Policisë së Shtetit që qartësisht synonte të largonte masën qytetare nga protesta, kur paralajmëroi për destabilitet dhe akte të mundshme dhune në demonstratën e kësaj të shtune. Policia e Shtetit tha se kishte identifikuar njerëz të dhunshëm që sipas saj do të merrnin pjesë në këtë protestë. Efekti ishte i shpejtë. Një vëzhgim i bërë nga gazeta jonë me disa dhjetëra qytetarë në Tiranë, evidentoi faktin se më shumë se gjysma e tyre ndjenin pasiguri për pjesëmarrje në protestë, pas deklaratës së Policisë së Shtetit.

Hapi i dytë drejt të njëjtës nismë të autoriteteve, ishte njoftimi i djeshëm i Policisë së Tiranës, e cila tha se nuk lejonte zhvillimin e protestës në zonat që kishte kërkuar leje opozita.

Hapi i tretë, ishte deklarata e fortë dje e Elisa Spiropalit e cila tha se “opozita kërkon që ditën e shtunë të djegë Shqipërinë”.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, duke kritikuar skenën në Kuvend ku Edi Paloka i hodhi bojë kryeministrit, lëshoi dhe një thirrje direkte për qytetarët duke u kërkuar që të mos marrin pjesë në protestë: “I themi njerëzve që janë më të zgjuar dhe më inteligjentë se ajo turmë që u fut në Kuvend për të bërë atë shfaqje, që mos të ndjekin zjarrin e opozitës por të qëndrojnë deri në fund me Shqipërinë”.

Të gjitha këto deklarata, kanë stepur një numër qytetarësh që të marrin pjesë në protestë. Këtë duket se e ka kuptuar edhe Partia Demokratike, e cila dje për të disatën herë, kërkoi të sigurojë shqiptarët se protesta do të jetë e sigurt dhe pa eksese. “Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë”, – thotë partia më e madhe opozitare.

Sakaq ajo komenton dhe njoftimin e policisë për të refuzuar lejen për protestë në disa zona. “Në përputhje me Ligjin për Tubimet, PD ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”. Policia e Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”. Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës”.

PD pohon se nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. “Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje”, – thotë PD. Duke theksuar se Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politikë të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike, PD paralajmëron: “Qëndrimi i PD i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga PD”.

Kësaj situate të turbullt, i shtohen dhe deklaratat nga krerët e PD. Lulzim Basha tha dje në Kuvend se “ditën e shtunë përballja është e qartë” dhe shtoi: “Matanë gardhit të policëve është kryehajduti i kapur në vjedhje. Përballë është populli i vjedhur. Derën e Europës do ta hapim të gjithë bashkë protestën e 16 shkurtit”. Ai premtoi edhe se “nuk do të ketë kthim pas pa largimin e Edi Ramës”.

Edhe nënkryetari i Parlamentit, Edi Paloka, paralajmëroi për protestë që synim nuk ka thjesht daljen për një orë në shesh, por rrëzimin e qeverisë: “Nuk ke parë asgjë akoma. Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit”, – deklaroi dje Paloka duke i dhënë kështu një mesazh në distancë kryeministrit.

Sakaq, është e paqartë ende se çfarë strategjie do të ndjekë opozita ditën e shtunë. Zyrtarisht dihet vetëm që është thirrur një protestë në qendër të Tiranës, ku nuk do të ketë fjalime nga krerët politikë por do të thirren qytetarët të marrin fjalën. Nuk dihet se çfarë synon të arrijë në të vërtetë opozita me protestën e të shtunës, ndërkohë që bie në sy edhe fakti tjetër se Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga Monika Kryemadhi, është treguar shumë e kursyer në deklarata për 16 shkurtin dhe ka qëndruar larg apeleve demokrate për rrëzim të qeverisë, duke sugjeruar për zgjidhje politike dhe qeveri kalimtare, sikurse u shpreh dje Kryemadhi: “E vetmja zgjidhje politike është qeveri kalimtare që i krijon shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Në këtë pikë, mbetet të presim se çfarë do të ndodhë të shtunën, duke apeluar fort që dhuna të mos ekzistojë këtë 16 shkurt, duke mos i rikthyer shqiptarëve shijen e hidhur të “21 Janarit”.

Protesta, Rama ikën në Vlorë

Teksa të shtunën pritet të zhvillohet protesta e normale të takimet. Kreu i qeverisë do të jetë në Vlorë. Ai ka organizuar tubim në ora 10:30 në Sheshin e Flamurit dhe lëshoi thirrjen që të gjithë qytetarët të jenë të pranishëm.