Planet e Zaevit për spastrime në Qeveri

Planet e Zaevit për spastrime në Qeveri

Kryeministri Zoran Zaev muajin e ardhshëm pritet të zbatojë planin e ashtuquajtur për spastrime të Qeverisë, për shkak të mungesës së rezultateve. Ai tha se në shënjestër janë ministra, funksionarë të lartë qeveritarë,  kryetarë të komunave, por edhe spastrime në partinë e tij sociademokrate (SDSM).

“Besoj se në fillim të qershorit do të dal me ndryshimet komplete në strukturat udhëheqëse në nivel të ministrave dhe institucioneve shtetërore dhe besoj nga fundi i qershorit do të lëshohemi edhe në vertikale në vetë komunat ku shteti përfaqësohet me institucionet e tij”, theksoi Zaev.

Por nga partia shqiptare BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) si pjesë e koalicionit thonë se gjithçka do të vendos kreu i partisë së tyre Ali Ahmeti, i cili nga fundi i kësaj jave pritet të takohet me kryeministrin Zoran Zaev. Por nga kjo parti nuk pajtohen me vlerësimet e kryeministrit Zaev se mungojnë rezultatet tek ministrat e tyre.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar osmani tha se qeverisja aktuale dy vitet e para ka qenë e fokusuar në politikën e jashtme, ndërsa tani në mandatin e dytë do të fokusohet në planin ekonomik.

Njohësi i zhvillimeve ekonomike, Goran Rafajlovski nënvizon se kjo qeveri ka qenë më e dobët në planin ekonomik dhe se të gjithë ministrat të angazhuar në këtë sferë nuk kanë pasur rezultate.

“Nga ministri i financave që nuk i dëgjoi thirrjet për tatimin progresiv, ministri i transportit që ndaloi projektet kapitale dhe aktivitetet ndërtimore, e deri tek ministritë e bujqësisë, ekonomisë, punëve sociale ku ka pasur ngecje”, theksoi Rafajlovski.  Opozita ka drejtuar kritika se kabineti i kryeministrit Zoran Zaev po e çon vendin në drejtim të gabuar./IBNA