Përplasje mes pozitës dhe opozitës për Prokurorinë Speciale

Përplasje mes pozitës dhe opozitës për Prokurorinë Speciale

Fati i Prokurorisë Speciale, e cila ishte formuar për hetimin e skandalit të përgjimeve dhe bisedave të publikuara të ish-qeverisjes së kaluar është një nga temat kryesore të debatit politik në Shkup.

Qeveria mbron qëndrimin që Prokuroria Speciale të jetë një institucion i veçantë, ndërsa opozita kërkon që kjo prokurori të jetë sektor në kuadër të Prokurorisë Publike për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Opozita shkon edhe më tej duke kërkuar ndërrimin e prokurorëve të saj, duke filluar nga kryeprokurorja speciale Katica Janeva.  Kryeministri Zoran Zaev theksoi se nuk pranon që të ndërrohet stafi i kësaj prokurorie, por edhe fati i saj.

 “Duhet t’a mbështesim kapacitetin e tyre. Unë i dëgjoj kritikat e opozitës, dhe jo që s’kuptohem me ta, por përparësitë e një institucioni të tillë, me këta njerëz, është me të vërtetë përparësi e madhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Zaev.

Nesër është caktuar takimi i radhës i grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës, për të dëgjuar sërish propozimet e opozitës. Toni Menkinovski, i cili e udhëheqë grupin e VMRO-DPMNE-së, thotë se kanë mbledhur vërejtje 120 faqe, por se ka hapësirë për marrëveshje.  Opozita shpreson se do të pranohen vërejtjet dhe propozimet e tyre për të krijuar sistem të pavarur të drejtësisë.

Prokuroria Speciale u formua në vitin 2015 si pjesë e marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës, e cila hetoi bisedave e materialeve të përgjimeve të qeverisjes së kaluar. 

Lufta kundër korrupsionit, Ligji për Prokurorinë Speciale dhe reformat në sektorin e sigurisë, janë fushat që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’u kushtojë vëmendje javëve në vijim, sepse ato do ta përcaktojnë fatin e marrjes së datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Kjo porosi është bërë e qartë edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës Hristijan Mickoski në Bruksel. /IBNA