Përplasje mes partnerëve të koalicionit në Maqedoninë Veriore

Përplasje mes partnerëve të koalicionit në Maqedoninë Veriore

Dështimi i seancës së Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE, Trajko Veljanovski ka shkaktuar tronditje brenda koalicionit qeverisës.

Ish-kryetari i Kuvendit Veljanovski dyshohet si njëri nga organizatorët e ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend natën e 27 prillit të 2017 dhe për këtë gjykata penale kërkoi heqjen e imunitetit. Pas dështimit të një dite më parë për të votuar në kohë për imunitetin e Veljanovskit, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi fajin e hodhi te deputetët, konkretisht te  deputeti i SDSM (Lidhja Social Demokrate), Muhamet Zekiri. Xhaferi nuk pranoi të ketë shkelur me qëllim afatin, duke thënë se ai nuk mbron askënd, aq më pak ata që kanë probleme me ligjin.

Mirëpo deputeti Zekiri kondërshtoi akuzat e Xhaferit dhe ngriti pyetjen për një koordinim të mundshëm mes kryeparlamentarit dhe VMRO-DPMNE-së. Edhe deputeti  tjetër i koalicionit të SDSM, Pavle Bogoevski thotë se ka pasur skenar të përgatitur midis BDI dhe VMRO-DPMNE si ish-partnerë qeveritarë për mos heqjen e imunitetit të deputetit të Veljanovskit. Deputetët e SDSM po bojkotojnë seancat e Kuvendit derisa kryeparlamentari Xhaferi të sqarojë se çfarë ka ndodhur me rastin e Veljanovskit. Edhe kryeministri Zoran Zaev ka kërkuar sqarime, por duke mos dhënë sinjale se koalicioni është në krizë.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se pas dështimit për heqjen e imunitetit të Veljanovskit, pushteti është jolegjitim për shkak se dështoi në betejën për sundimin e së drejtës. Kreu i kësaj partie Ziadin Sela tha se shpëtimi i vetëm nga kriza e tillë qeveritare janë zgjedhjet e parakohshme. /IBNA