Përfundon fushata për presidencialet, nga mesnata heshtje zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Përfundon fushata për presidencialet, nga mesnata heshtje zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 19 prill – Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut sot i japin fund fushatës zgjedhore që nisi më 1 prill. Të dielën do të zhvillohet votimi me c’rast mbi 1.8 milionë votues do të votojnë për presidentin e ardhshëm të vendit. Në garën presidenciale janë: Stevo Pendarovski nga koalicioni i socialdemokratëve dhe partive tjera në pushtet, përfshirë edhe ato të komunitetit shqiptar, Gordana Siljanovska – Davkova e mbështetur nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE si dhe kandidati i tretë Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare. Ky i fundit mbrëmë përmbylli fushatën në Tetovë me thirrjet për barazi midis komuniteteve për një shtet qytetar, reforma në drejtësi dhe vazhdimin e procesit për anëtarësim në NATO dhe BE.

Kandidati për president i SDSM dhe koalicionit, Stevo Pendarovski fushatën e përfundon sot në Strugë dhe në Ohër, ndërsa gjatë fushatës së tij ai është fokusuar në shtetin e së drejtës dhe përmbylljen e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe BE, duke mbështetur Marrëveshjen e Prespës.  

Por, kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska –Davkova e cila do i jap fund fushatës sonte në lindje të vendit është shprehur kundër Marrëveshjes së Prespës dhe se ajo ka thënë se do të bëj përpjekje për revidimin e saj në planin ndërkombëtarë. Ajo ka thënë se do ta respektojë kushtetutën e vendit, megjithatë personalisht nuk do e njoh emrin e ri Maqedonia e Veriut.

Nesër do të jetë në fuqi heshtja zgjedhore një ditë para zgjedhjeve, megjithatë të drejtën e votës do ta shfrytëzojnë të burgosurit, të sëmurët, personat nën arrest shtëpiak dhe kategori tjera./IBNA