Përçahet koalicioni qeverisës në Prishtinë, priten zgjedhje të reja?

Përçahet koalicioni qeverisës në Prishtinë, priten zgjedhje të reja?
Kosova mund të shkoj drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të përçarjes së koalicionit qeverisës për mospërputhshmëri të ideve dhe politikave qeverisëse.
Çarja në koalicion ka të bëjë edhe taksën e vendosur nga Qeveria për produktet serbe dhe ato boshnjake, barrierë e cila ka përkeqësuar raportet me aletin kryesor të Kosovës, SHBA-të.
Partia Demokratike e Kosovës të shtunën ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor në komunën e dytë më të madhe në Kosovë, në Prizren.
Nga ky qytetë ka nisur edhe fushatën  për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e bërë edhe propozimin për kryeministër të Kosovës.
Numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vetëm me PDK-në në krye të qeverisjes mund të rikthehet besimi më i madh i partnerëve ndërkombëtarë dhe i qytetarëve në Republikën e Kosovës.
“Në këtë drejtim, neve na duhet që si parti e shpresës, e besimit, e optimizmit, që ta rikthejmë besimin në shtet. Këtë punë mund ta bëjë vetëm PDK-ja, dhe këtë punë mund ta bëjë vetëm Kadri Veseli, kur të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual Ramush Haradinaj thonë se, deklaratat e PDK-së nuk janë kërcënim për prishje të qeverisë.
Ata kanë theksuar për mediat se kjo ka të bëjë me procesin e brendshëm zgjedhor të PDK-së.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, deklaroi se nuk i shohin kërcënuese deklaratat e PDK-së. Sipas tij ambiciet për të udhëhequr me shtetin janë normale edhe kur vijnë nga partnerët me të cilët bashkëqeverisin.
Tash e një kohë qeveria “Haradinaj” po kërcënohet nga partnerët e koalicionit me rrëzim të qeverisë. Madje, presidenti Thaçi ka potencuar se “kryeministrat vijnë e shkojnë”, kjo u tha për shkak të vendosshmërisë së Haradinajt për mos heqjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve serbe e boshnjake.
Aktualisht kundër qeverisë “Haradinaj” po organizohen edhe protesta në të gjitha qytetet nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Ky i fundit ka kërkuar zgjedhje të reja për krijimin e një qeverie legjitime dhe aftë për ta udhëhequr vendin./Ibna/