Pendarovski vs Siljanovska në balotazh, garë e ngushtë

Pendarovski vs Siljanovska në balotazh, garë e ngushtë

Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme presidenciale bëjnë të ditur se balotazh forcat do ti masin kandidati i mbështetur nga koalicioni qeverisës Stevo Pendarovski dhe kandidatja Gordana Siljanovska-Davkova nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Pendarovski ka fituar 42,84 % ose 323.846 vota, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska Davkova me 42,24 ose 319.240 vota, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 10,57 për qind ose 79.915 vota.

Gjithsej kanë votuar 755.709 qytetarë ose 41.81%, të vlefshme ka gjithsej 722.897 fletëvotime kurse 32.825 fletëvotime janë të pavlefshme.

Pendarovski tha se është i kënaqur nga procesi i sotëm zgjedhor, duke nënvizuar se se koncepti i tij “bashkë përpara” duhet të vazhdoj dhe të triumfoj në balotazh.

Siljanovska – Davkova tha se beteja sapo ka filluar dhe se ajo pret mbështetje edhe më të madhe nga qytetarët. Sipas saj, koalicioni qeverisës ka pësuar humbje të thellë përballë saj dhe kandidatit shqiptar Blerim Reka.

Ky i fundit theksoi se është i kënaqur nga rezultati i arritur që paralajmëron një pranverë politike me zgjedhje të reja. Reka tha se nuk do të mbështesin asnjërin kandidat në balotazh.

Kryeministri Zoran Zaev tha se zgjedhjet ishin korrekte dhe demokratike, duke vërtetuar vlerat evropiane.  Ai tha se është i bindur për fitore në balotazh, sepse koncepti i tyre është për progres dhe bashkim, ndërsa ai Siljanovskës për destruktivitet dhe ndarje.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski  shpalli fitoren në këto zgjedhje, duke paralajmëruar pranverë siç nënvizoi “maqedonase”. Ai akuzoi qeverisjen për mashtrime dhe krim, ndërsa bëri thirrje për unifikim për të fituar në raundin e dytë. KSHZ sot pritet të dal me rezultatet finale, ndërsa OSBE/ODIHR do të vlerësojë procesin e djeshëm zgjedhor./IBNA