Pendarovski vs Siljanovska aktivizohen për garën finale

Pendarovski vs Siljanovska aktivizohen për garën finale

Kandidati i partive të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska kanë nisur menjëherë fushatën për balotazhin për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohet më 5 maj.

Pendarovski u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin më 5 maj dhe të votojnë konceptin e tij “një shoqëri për të gjithë”.

“Shansi i fundit do të jetë 5 maji të dalim dhe të japim përkrahje këtij koncepti, jo Stevo Pendarovskit, por tërë filozofisë politike që e dërgon Maqedoninë në Evropë”, theksoi Pendarovski.

Ai ka shtuar se vota për Siljanovskën është votë për Nikolla Gruevskin të kthehet në pushtet dhe Ivanov të vazhdoj të jetë kryetar.

Ndërsa, kandidatja Gordana Siljanovska  tha se pushteti aktual u mposht në këto zgjedhje dhe se ajo do të jetë fituese më 5 maj.

Siljanovska ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në rrethinë e dytë të zgjedhjeve më 5 maj dhe përsëri t’i ja japin asaj mbështetjen me qëllim siç ka thënë të mposhtet politikat jo popullore dhe të dëmshme që po i zbaton qeveria e LSDM-së dhe Zoran Zaevit.

Dy kandidatët që kanë një diferencë prej 4 mijë votave nga raundi i parë kanë folur për mundësinë e tërheqjes së 80 mijë votave të kandidatit të tretë Blerim Reka, i cili ka thënë se nuk do të bëj thirrje që përkrahësit e tij të votojnë njërin nga kandidatët që shkuan në balotazh.

Shqetësimet e analistëve politik janë se zgjedhjet mund të dështojnë pasi që është rrezik të arrihet cenzusi prej 40 për qind. Në raundin e parë votuan mbi 41 për qind e votuesve, që është një fluks tejet i ulët nga pavarësimi i vendit. /IBNA