Pendarovski kandidat i përbashkët i SDSM dhe BDI për president

Pendarovski kandidat i përbashkët i SDSM dhe BDI  për president

Stevo Pendarovski do të jetë kandidati i përbashkët i Lidhjes Social Demokrate Maqedonase (SDSM)  dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet presidenciale. Këtë e bëri të ditur kryeministri dhe lideri socialdemokrat Zoran Zaev, pas takimit që pati me partitë partnere të koalicionit qeverisës.

“Jemi bashkuar sërish të gjithë, maqedonas, shqiptarë, serbë, turq, vllahë, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët.  Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, dallimet qëndrojnë pas një  kandidati. Të gjithë qëndrojmë pas Stevo Pendarovskit, kandidat mbipartiak, evropian, i qytetarëve mik i të gjithëve, dhe president i të gjithëve”, theksoi Zaev.

Ai shtoi se kandidati i përbashkët presidencial do të mbështetet nga gjithsej 31 parti politike. Në garë është edhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka kandidati i përkrahur nga opozita shqiptare.

Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale u caktua për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj./IBNA