PE: Parlamenti, platforma e vetme për diskutim politik!

PE: Parlamenti, platforma e  vetme për diskutim politik!

Parlamenti Evropian konfirmon edhe njëherë qëndrimin e tij për stabilitet politik dhe dialog mes palëve në Shqipëri, larg akteve të dhunës dhe ecurinë drejt reformave

“Parlamenti shqiptar duhet të jetë platforma e vetme për diskutim politik”. Një mesazh të tillë ka përcjellë dje kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian në komisionin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Monica Macovei. Duke përforcuar në këtë mënyrë, qëndrimin e disa ditëve më parë, të delegacionit të posaçëm që Parlamenti Evropian dërgoi në Tiranë, se vendit tonë i duhet stabiliteti politik. “Unë besoj fuqishëm se Shqipëria po përparon drejt pranimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e axhendës së reformave të BE-së”, tha gjithashtu ajo. Por sipas saj, për fat të keq, veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë.

“Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane. Kjo është edhe më e rastësishme duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe vendimin e ardhshëm për të hapur apo jo negociatat e pranimit”, theksoi ajo.

Për të shtuar se “deputetët e opozitës kanë tradhtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre”. E madje duke shkuar edhe më tej, se ata“kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”. Gjë të cilën, për Macovein, duket po e realizon qeveria “Rama”. “Qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shtuar ajo, pikërisht mbi reformën për realizimin e së cilës ajo ka qenë e angazhuar në vendin e saj, Rumani. “Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE / ODHIR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare është plotësisht legjitime”, e ka përmbyllur ajo deklaratën e saj. E duke lënë të kuptohet vazhdimësinë e qëndrimit të institucionit që ajo përfaqëson, mbi zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri.