Pas pushimeve të deputetëve pritet fillimi i dialogut politik

Pas pushimeve të deputetëve pritet fillimi i dialogut politik

Dialogu politik në Maqedoninë e Veriut pritet që të rikthehet në tryezë nga fundi i gushtit me përfundimin e pushimeve verore për deputetët. Në fund të gushtit po ashtu pritet që në rend dite në Kuvend të jetë Ligji i ri për Prokurorinë e Përgjithshme Publike, që rregullon edhe fatin e Prokurorisë Speciale.

Partia opozitare VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se ka përgatitur versionin e saj të projekt – ligjit lidhur me fatin e Prokurorisë Speciale dhe se ai parasheh që kjo prokurori të bëhet pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme, por janë paraparë edhe detaje të tjera.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski thotë se opozita kërkon që prokurorët e tanishëm të Prokurorisë Speciale të kthehen në prokuroritë amë, të hetohet përfshirja e tyre e mundshme në aferën e fundit “Zhvatja” dhe vetëm atëherë mund të aplikojnë për punë në prokurorinë e re. Ndërsa rastet e hapura nga Specialja deri më 30 korrik të vitit 2017, sipas opozitës duhet ti marrë përsipër prokurori publik republikan.

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, e cila përfaqëson projekt-ligjin qeveritar që është dërguar në Kuvend thotë se është e gatshme për bisedime me opozitën. Ajo tha se dyshon që VMRO-DPMNE vetëm po synon që të prolongojë procesin.

Fati i Prokurorisë Speciale konsiderohet të jetë çështja e fundit e hapur para se vendet anëtare të BE-së, në tetor të vendosin mbi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-ve, Johannes Hahn dhe Philip Reeker javën e kaluar qëndruan në Shkup për ti dhënë mbështetje rregullimit të fatit të kësaj prokurorie. Nëse partitë bien dakord dhe sigurohet një shumicë prej dy të tretash, kryetari i parlamentit Talat Xhaferi tha se ligji mund të kalojë filtrin parlamentar deri në fillim të shtatorit./IBNA