
Partitë politike kanë dhënë vlerësime të ndryshme pas inaugurimit të Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut.
“Më në fund pas 10 viteve fituam presidentin e vërtet i cili u zgjodh në zgjedhje të lira dhe demokratike. Jemi të bindur se Pendarovski do të na çojë para dhe do të jetë udhëheqës i përparimit dhe rrugëtimit drejtë integrimit në NATO dhe BE”, deklaroi deputetja e socialdemokratëve në pushtet, Frosina Remenska.
Opozita maqedonase akuzoi se Lidhja socialdemokrate SDSM dhe Stevo Pendarovski janë futur në borxh politik tek partnerët e koalicionit.
“Pendarovski dhe Zaev do të paguajnë kredi të madhe në llogari të qytetarëve të cilët votuan për të dhe pritën më shumë nga ai. Ata dhanë gjithçka dhe u futën në kredit të madh me qëllimin e vetëm që Pendarovski të bëhet president”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milososki.
Por BDI hodhi poshtë pretendimet e opozitës maqedonase.
“Pendarovski është kandidati ynë dhe ne konsiderojmë se ishim faktori që vendosëm për fitoren e tij. Nuk kemi pse t’i dërgojmë fatura kandidatit tanë i cili i fitoi këto zgjedhje”. – theksoi Artan Grubi, Deputet i BDI-së
Opozita shqiptare pret që presidenti i ri të mos veprojë si ish presidenti Gjorge Ivanov.
“Nëse presidenti i ri ka vullnet dhe gatishmëri që të bashkëpunojë me opozitën shqiptare, sigurisht që edhe neve do të bashkëpunojmë me kapacitete të plota”, thotë deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
Stevo Pendarovski dje pasdite filloi mandatin e presidentit të pestë të Maqedonisë së Veriut. /IBNA