
Shqipëria, është ndër vendet e para që ratifikon protokollin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Parlamenti miratoi sot me vota unanime protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Atlantikun e Veriut, NATO.
Përfundimi i votimit u prit me duartrokitje.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pohoi se Maqedonia e Veriut kaloi sprova të mëdha deri në këtë moment.
“Sot jemi në ditën e shumëpritur nga të gjithë, protokolli i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO nga përfaqësuesit e vendeve të NATO-s. Shpreh kënaqësinë që Kuvendi Shqipërisë është ndër të parët që po e ratifikon këtë protokoll, duke i hapur kështu rrugën Maqedonisë së Veriut në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, tha Ruçi.
“Ky anëtarësim u bë i mundur falë marrëveshjes së Prespës mes dy vendeve fqinje tanë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, vazhdoi ai.
Sipas tij, “nuk do të ishte bërë e mundur pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO”.
I pranishëm në seancë ishte dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.
Ai tha se me këtë rast Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen e saj ndaj fqinjit lindor.
Po ashtu ai shprehu përkushtimin e qeverisë së vendit të tij për ndërtimin e një “shoqërie për të gjithë”, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale apo tjetër.” /ibna/