Parlamenti i Kosovës miratoi platformën e bisedimeve me Serbinë

Parlamenti i Kosovës miratoi platformën e bisedimeve me Serbinë

Me 61 vota për, parlamenti i Kosovës miratoi të enjten platformën për siç thuhet “dialogun për marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Platforma synon siç thuhet të caktojë vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha pas miratimit të platformës se vendi tashmë do të shkoj në bisedime më i fuqishëm.

Kosova është gati të përballet në procesin e dialogut përfundimtar i cili do të thotë për ne vetëm ulëse në OKB, do të thotë shtetësi e plotë, sovranitet i plotë, pa asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jo cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendi tashmë është edhe më i gatshëm për bisedime me Serbinë.

“Ne e vërtetojmë se jemi serioz për obligimet ndaj dialogut si Kosovë, kuptohet kemi edhe tema tjera (tarifat) por sa i përket kësaj pjese Kosova e ka vërtetuar se është e konsoliduar dhe e gatshme për dialog”,tha kryeministri Haradinaj.

Por, as platforma dhe as ekipi për bisedime nuk kanë siguruar konsensus politik në vend meqë opozita nuk është bërë pjesë e tyre, madje ajo bojkotoi debatin duke theksuar se është kushtetuta e Kosovës ajo që rregullon çështjen e bisedimeve me Serbinë./Ibna/