Parlamenti i Kosovës krijon komisionin për krimet serbe në Kosovë

Parlamenti i Kosovës krijon komisionin për krimet serbe në Kosovë
Në Kosovë, parlamenti miratoi krijimin e një komisioni të veçantë për dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë.
Komisioni që do të ketë synim propozimin e nismave ligjore për të dënuar krimet e luftës, pasoi deklaratat e fundit të zyrtarëve serb të përfshirë në institucionet e Kosovës dhe autoriteteve në Beograd që mohojnë krimet e luftës.
Për ngjarjet e fundit reagoi edhe ambasada amerikane në Prishtinë e cila tha se mohimi i mizorive ofendon kujtimet për viktimat dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik.
Ideja e krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, sipas kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është në nderin dhe dinjitetin e Kosovës.
“Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja është që përmes kësaj rezolute të bëhen hapat, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës, Parlament Evropian ky komision. Duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe dhe kjo duhet gjithsesi, është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. E keni mohimin e masakrave e cila po ndodh sot dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve të gjitha”, deklaroi Veseli.
Secila nga partitë politike do ta ketë nga një përfaqësues në komision, ndërsa në të do të bëjnë pjesë edhe organizata joqeveritare që merren me këtë çështje.