Papa Francesku vizitë në Shkup, po përgatiten masa të forta të sigurisë

Papa Francesku vizitë në Shkup, po përgatiten masa të forta të sigurisë

Papa Francesku dhe një delegacion nga Vatikani më 7 maj do të vizitojnë Shkupin. Lajmi është zyrtarizuar edhe nga Ministria e Jashtme, e cila ka thënë se kjo vizitë është historike për vendin, pasi që për herë të parë vjen kreu i Vatikanit.

“Kjo vizitë që zhvillohet për herë të parë është nder për ne dhe ka simbolikën e saj. Ajo zhvillohet me rastin e 25 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin”, theksoi sekretari shtetëror i Ministrisë së Jashtme, Viktor Dimovski. Në organizimin dhe planifikimin e pritjes janë përfshirë shumë institucione, ndërsa po përgatiten masa të forta të sigurisë. Papa Francisku mëngjesin e 7 majit mbërrin në Shkup, zhvillohet takimi me presidentin Gjorgje Ivanov, më pas me kryeministrin Zoran Zaev, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe vizita në Shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup. Në kuadër të vizitës do të mbahet edhe një meshë e shenjtë në sheshin e Shkupit. Sekretari i Ministrisë së Jashtme, Dimovski tha se papa Francesku ka planifikuar edhe shëtitjen me makinën e tij speciale nëpër rrugët e Shkupit, që është një praktikë e zakonshme e kreut të Vatikanit gjatë vizitave të tij. Peshkopi i Kishës Katolike, Kire Stojanov tha se vizita është e rëndësishme pasi që do të përcillen porosi për paqe dhe mirësi.Kjo vizitë vjen pas ndërrimit të emrit dhe pas hapjes së rrugës për hyrjen e vendit në NATO. /IBNA