Palmer: Krizën politike ta zgjidhin partitë

Palmer: Krizën politike ta zgjidhin partitë

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer zhvilloi dje një takim me një grup gazetarësh në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Z. Palmer, ka trajtuar dhe ndarë komentet e tij mbi çështje të ndryshme. Z.Palmer bëri të qartë se nuk do të ketë ndërhyrje të SHBA-ve për zgjidhjen e krizës, kur tha: “Se si zgjidhet ky proces, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike për t’u zgjidhur”. Kurse theksoi se “unë nuk jam këtu për të negociuar një zgjidhje, nuk jam këtu për të mbështetur një zgjidhje të caktuar”.

I pyetur se cili është qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara mbi krizën aktuale në Shqipëri dhe përgjegjësinë e palëve, dhe a duhet qeveria të pranojë kërkesat e opozitës për një qeveri tranzicioni dhe zgjedhje të parakohshme, z.Palmer tha:

“Qëndrimi ynë zyrtar është se Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë. Përsa i përket pikëpamjes sonë mbi zhvillimet politike, i përket klasës politike që të negociojë brenda vetes. Mendoj se do të ishte fatkeqësi për opozitën nëse nuk do të kërkonte mënyra për t’u rifutur në procesin demokratik, përfshirë edhe, më të afërtin, qershorin. Se si zgjidhet ky proces, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike për t’u zgjidhur”.

Më tej Palmer tha se “institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve. Palmer shprehu besim se “kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë”. Këtu ai shtoi se “ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva”.

Në vijim z.Palmer sqaroi se nuk erdhi në Tiranë “për të negociuar një zgjidhje” dhe as “për të mbështetur një zgjidhje të caktuar”. Kurse apeloi: “Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”. Palmer theksoi se :mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike”. Prandaj ai nxiti partitë e opozitës që “të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik”, duke vlerësuar se “zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë”.

Palmer, ashtu si Rama para pak ditësh, përjashtoi dialogun mazhorancë-opozitë për kërkesat që shtrojnë Basha e Kryemadhi që Rama të dorëhiqet dhe të krijohet qeveri tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ashtu si Rama, edhe Palmer tha se dialogu duhet të bëhet për reformën zgjedhore: “Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”. Sipas Palmer, “reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare”.

Palmer shtoi se nuk e sheh “si përgjegjësi të qeverisë që të bindtë opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit”, duke vlerësuar se “është përgjegjësia e opozitës që ta bëjë këtë”.

Në takimin me gazetarë, z.Palmer konfirmoi edhe se Kathy Kavalec nuk do të jetë ambasadorja e re e SHBA-ve në Shqipëri. Ai nuk tha se kur do të vijë një ambasador në Tiranë.

Z.Palmer komentoi dhe ndikimin e Rusisë në rajon. Ai tha se SHBA duan të shohin një rajon bazuar në transparencë, sundimin e ligjit, bashkëpunim midis vendeve për një perspektivë europiane. Kurse shtoi: “Rusët preferojnë një rajon që është i organizuar mbi bazën e mosbesimit, çrregullimeve, fërkimeve, kaosit”. Gjithsesi ai çmoi se “Shqipëria është një shënjestër më e vështirë për rusët se sa vendet që janë ndoshta pak më të hapura ndaj kësaj lloj influence malinje”.

Z.Palmer foli dhe për çështjen Kosovë-Serbi. Ai tha se SHBA mbështet një “marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënies midis Serbisë dhe Kosovës” duke shtuar: “Besojmë që elementi qendror i kësaj duhet të jetë njohja e ndërsjellë, pra që Serbia njeh Kosovën si vend sovran dhe i pavarur dhe Kosova njeh Serbinë në të njëjtën mënyrë. Dhe mbi bazën e kësaj, të dy vendet e pavarura punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet”.

Palmer pohoi se pjesë e marrëveshjes mund të jetë dhe çështja e kufijve.