Palmer: Kosova dhe Serbia ti lënë mënjanë retorikat nacionaliste

Palmer: Kosova dhe Serbia ti lënë mënjanë retorikat nacionaliste
Kosova dhe Serbia të vazhdojnë bisedimet deri në njohjen e ndërsjellë.
Kështu u shpreh Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer në manifestimin me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, që Kosova e kremton si ditë të lirisë.
Ai tha se, Prishtina dhe Beogradi duhet ti lënë mënjanë retorikat nacionaliste dhe të shohim përpara.
“Përparimi kërkon zotim nga udhëheqësit e Prishtinës dhe Beogradit për të siguruar mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe të sjellin para ligjit ata që kanë kryer krime lufte dhe dhunë. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të të gjitha viktimave, në mënyrë që të kenë qasje në drejtësi dhe të gjejnë fatin e më të dashurve të tyre të humbur tyre, ata duhet të lënë mënjanë retorikat nacionaliste”.
Zoti Palmer tha se e ardhmja e varet nga ruajtja e rendit dhe ligjit dhe kërkon demokraci të fortë, llogaridhënie dhe refuzim të pa ndëshkueshmërisë.
Politikanë dhe zyrtarë të lartë amerikanë, po marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare.
Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.
Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 4 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.
Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.
Hyrjes së trupave u parapriu nje fushatë 78 ditëshe e bombardimeve kundër forcave serbe, pasi që Beogradi kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë./Ibna/