Paketa Fiskale 2019, Tatimet: Ja ndryshimet e reja në taksat kombëtare gjatë këtij viti

Paketa Fiskale 2019, Tatimet: Ja ndryshimet e reja në taksat  kombëtare gjatë këtij viti

Sqarohen zyrtarisht ndryshimet që konsistojnë në ndryshimin e taksës për rentën minerare dhe taksën e ambalazhit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (DPT) në vijim të informimit për Paketën Fiskale 2019, ka sqaruar dje zyrtarisht të gjithë tatimpaguesit për ndryshimet kryesore në ligjin “Për taksat kombëtare”, që konsistojnë në ndryshimin e taksës për rentën minerare dhe taksën e ambalazhit.

Konkretisht, sipas tyre, përqindja e rentës minerare për “Mineralet e kromit për eksport” bëhet: 

7% duke filluar nga data 1 janar 2019, 8% duke filluar nga data 1 janar 2020 dhe 9% duke filluar nga data 1 janar 2021 dhe në vijim.

Gjithashtu, bëhet me dije se në paketën fiskale 2019, taksa e karbonit nuk paguhet për sasitë e benzinës dhe të gazoilit që eksportohen.

Kurse për artikujt plastikë dhe ambalazheve plastike të importuara, do të aplikohet taksa në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare.

Ndërsa taksa për ambalazhet prej qelqi të importuara e të prodhuara në vend do të aplikohet në masën 5 lekë/kg.

Nga ana tjetër, taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara dhe që përdoren për prodhimin në vend të produkteve të plastikës aplikohet në masën 25 lekë/kg.