Pakësohen kreditë e këqija, bankat po i “blindojnë” me kolateral para se t’i japin

Pakësohen kreditë e këqija, bankat po i  “blindojnë” me kolateral para se t’i japin

Më pak kredi të këqija se dikur. Dhe më shumë shlyerje të kësteve të tyre prej klientëve. Kjo është situata që i ka karakterizuar në tërësi kreditë bankare në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. E pohuar nga Banka e Shqipërisë, në Raportin e Stabilitetit Financiar, ajo flet në këtë mënyrë për një disiplinim më të madh të arritur në këtë fushë. Po si është mundësuar kjo?

Sipas ekspertëve, njëra nga arsyet kryesore është “blindimi” me kolateral i kredive që bankat u japin si bizneseve, ashtu edhe individëve. Duke patur një të tillë mbi supe, ata ndihen më të detyruar se më parë që ta shlyejnë në mënyrë të disiplinuar kredinë. E thënë më thjesht, nëse një kredi mbulohet nga një pasuri e patundshme, apo edhe një shumë parash e lënë si garanci tek banka, shlyerja e saj është më e rregullt krahasuar me një kredi që nuk ka asnjë të tillë.

“Mbulimi me kolateral i kredisë mbetet në nivele të larta dhe ka shënuar rritje të vazhdueshme. Kjo ndikon në zbutjen e rrezikut të kredisë”, cilëson banka qendrore. Me shifra konkrete, ajo pohon se vjet u mbuluan 78.2% e kredive me kolateral, 1.5% më shumë se një vit më parë. Duke folur kështu për një “mburojë” më të madhe që po u bëhet kredive prej bankave, në mënyrë që ta kenë më të lehtë kthimin mbrapsht të tyre prej klientëve. Por edhe duke përfunduar me vlerësimin se “raporti i kredive me probleme për këtë lloj kredie ra deri në nivelin prej 10.5% në fundvitin e kaluar”.

Kreditë e këqija arrijnë deri në 17%, ndikoi fshirja e atyre që kanë humbur

“Cilësia e kredisë është përmirësuar ndjeshëm, si pasojë e uljes së kredive me probleme deri në nivelin prej 17%, 64 miliardë lekëve”. Ky është një tjetër pohim që bëhet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve ky është niveli më i ulët i kredive me probleme i regjistruar që prej vitit 2010. Për ata, arsyet e një dukurie të tillë, përveç shlyerjeve të bëra nga ana e klientëve, kanë qenë edhe fshirjet e kredive që tashmë cilësohen si të humbura prej bankave. Por në të njëjtën kohë edhe ristrukturimi i atyre që kanë qenë me shumë probleme dhe rifillimi i pagesës së kësteve të prapambetura. “Që prej muajit qershor 2018, janë shlyer rreth 17.6 miliardë lekë kredi me probleme, dhe janë fshirë rreth 4.5 miliardë lekë kredi të humbura, të përfaqësuara kryesisht nga kreditë e bizneseve në lekë”, pohojnë mes të tjerash ekspertët e bankës qendrore.

Bankat e mëdha me më pak kredi të këqija, ato të mesme më shumë

“Kontributin kryesor në drejtim të përmirësimit të cilësisë së kredisë e kanë dhënë bankat e mëdha”, pohon Banka e Shqipërisë. Sipas tyre, raporti i kredive me probleme për bankat e mëdha ra në 11% nga 14%”, sqarojnë gjithashtu ekspertët. “Raportin më të lartë të kredive me probleme e kanë bankat e mesme, deri në nivelin prej 11.6%, ndërsa raportin më të ulët e kanë bankat e vogla, deri në 8.8%. Ku te këto kanë ndikuar edhe ndryshimet strukturore”, thuhet mes të tjerash në Raportin e Stabilitetit Financiar.