Pacolli: Serbia provokoi Kosovën në samitin digjital në Beograd

Pacolli: Serbia provokoi Kosovën në samitin digjital në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha sot se në samitin që po mbahet në Beograd të Serbisë për heqjen e roamingut të vendeve ballkanike perëndimore, Serbia ka provokuar Kosovën.

Në një konferencë për media ai ka ftuar BE-në që të sqarojnë pozicionin e vet ndaj provokimeve të tilla.

“Jam i shqetësuar me ngjarjen e sotme nën organizim të BE-së, të Samitit Digjital të vendeve perëndimore ku po mbahet në Beograd për nënshkrimin e roamingut. Por, në një panel të posaçëm diskutimesh të nivelit të 137 ministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit  Perëndimorë ndodh diçka e papritur. Edhe në këtë rast Serbia duke thyer secilën marrëveshje sot ka provokuar në mënyrë organizative duke thyer çdo rregull te ministrat perëndimor”, tha Pacolli.

Ai ka folur për ngjarjen që ka ndodhur sot, duke thënë se këto provokime janë kundër Pavarësisë së Kosovës.

“Gjatë këtij sesioni organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojën fjalën dikujt nga publiku. Aty koncentrohen të gjitha kamerat dhe në monitorët prapa panelistëve del teksti që ai person e lexon. Kanë qenë tekste destruktive, shoviniste. Ne nuk mund t’i pranojmë ato kurrsesi dhe kanë qenë tekste kundër Republikës së Kosovës, kundër Pavarësisë së Kosovës. Një gjë e tillë nuk lejohet”, tha Pacolli.

Ai ka ftuar Bashkimin Evropian që të reagojë në këtë rast në mënyrë që Serbia të disiplinohet./Ibna/