Pacolli: Mohuesit e krimeve të luftës në Kosovë do të shpallen ‘non grata‘

Pacolli: Mohuesit e krimeve të luftës në Kosovë do të shpallen ‘non grata‘
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha të dielën se do t’u ndalojë hyrjen në Kosovë dhe do t’i shpallë të padëshirueshëm të gjithë zyrtarët serbë, që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.
Reagimi i tij pasoi një intervistë të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, dhënë një mediumi rus ku ai e thekson se “ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe”, duke e cilësuar si “arsyetim të rrejshëm” masakrën në atë fshat ku qenë vrarë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit1999.
“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së (Sllobodan) Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar.
Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, shkroi të dielën në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai theksoi më tej se “arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit.
Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer. Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkroi ai.
Muajin e kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një mocion për krijimin e një komisioni të veçantë për, siç thuhet, dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë./Ibna/