Osmani: Kufijtë e Kosovës nuk duhet të negocioen me Serbinë

Osmani: Kufijtë e Kosovës nuk duhet të negocioen me Serbinë

Sot në Strasburg  është zhvilluar një takim ndërmjet deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve të Kuvendi të Kosovës.

Pas këtij takimi palët kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Të pranishme në këtë takim kanë qenë edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, dhe ajo e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, të cilat e kanë bërë të qartë që në dialogun e Brukselit me Serbinë, kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pa prekshëm.

“Sot në Strasbourg, së bashku me deputetë të Parlamentit Evropian, diskutuam pikëpamjet tona për relacionet në mes të Kosovës dhe BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi dhe procesin e liberalizimit të vizave. Prezantuam qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet në formatin shtet me shtet, ku Kosova e Serbia trajtohen si dy shtete te barabarta dhe i cili rezulton me një marrëveshje ku Republika e Kosovës njihet në kufijtë e saj aktual”, ka thënë Osmani.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka mandat kushtetues për udhëheqjen e këtyre bisedimeve, pasi që Kosova është Republikë parlamentare.

Haxhiu gjithashtu e ka bërë të qartë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksë ndaj Serbisë gëzon një përkrahje të madhe të qytetarëve dhe si e tillë nuk duhet të hiqet./Ibna/