Opozita po bëhet gati për presidencialet, maxhoranca në kërkim të një kandidati

Opozita po bëhet gati për presidencialet, maxhoranca në kërkim të një kandidati

Derisa opozita në Maqedoninë e Veriut zgjodhi profesoreshëm Gordana Siljanovska për garën presidenciale, maxhoranca e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate (SDSM) akoma është në kërkim të një kandidati për president.

Kryeministri dhe lideri socialdemokrat, Zoran Zaev po vazhdon konsultimet me partitë shqiptare dhe komuniteteve tjera më të vogla për një kandidat të përbashkët për president. Ai deri tani ka zhvilluar takime me gati të gjithë liderët e partive shqiptare, një pjesë e madhe e të cilëve janë dakorduar për të përkrahur kandidatin e përbashkët për president.

“Besoj se kjo është e mundshme. Nëse e bëjmë këtë, edhe njëherë e konfirmojmë idenë ‘një shoqëri për të gjithë’ dhe i dërgojmë mesazh të qartë qytetarëve se qëndrojmë prapa personit, për të cilin paraprakisht pajtohemi se do të ishte një president i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut” tha Zaev, duke shtuar se parimisht ka mbështetjen e partive shqiptare që janë pjesë e Qeverisë.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA thotë për IBNA se si parti opozitare po shqyrtojnë të gjitha opsionet për zgjedhjet presidenciale.

“Ne dje jemi takuar me kryeministrin Zaev ku diskutuam për mundësinë e përkrahjes së një kandidati të përbashkët. Presidenti ardhshëm duhet të ketë qasje pozitive dhe të kontribuojë në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike”, nënvizon Kasami, duke mos përjashtuar mundësinë për një kandidat të përbashkët të opozitës shqiptare bashkë me Aleancën për Shqiptarët.

Kongresi i SDSM është caktuar më 3 mars kur pritet të sillet vendimi për kandidatin për president. Nga kjo parti kanë thënë se nga 10 kandidatët e paraqitur, pesë prej tyre kanë kaluar fazën e parë dhe janë më të votuar nëpër sondazhet partiake. Ministri i jashtëm, Nikola Dimitrov dhe ish-kandidati për president Stevo Pendarovski janë emrat më të përfolur në media. Megjithatë nga VMRO-DPMNE thonë se presin kandidaturën e oponentëve të tyre dhe se në përballjen e 21 prillit ata do të arrijnë fitore bindëse. Kandidatura për pjesëmarrje në zgjedhje kanë paralajmëruar edhe nga partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe parti të tjera më të vogla. Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 21 prill, pasi që në maj përfundon mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov. /IBNA